Skip to content
Të nderuar adhurues të muzikës,



Orkestra e Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut edhe në sezonin 2025/2026 do të nisë një aventurë të re tingujsh, me solistë dhe dirigjentë emocionues që po shkruajnë historinë e muzikës klasike të sotme dhe po afirmohen në skenën botërore si artistë të nivelit më të lartë. Publiku ynë sërish do të ketë privilegjin të përjetojë çaste të paharrueshme të kënaqësisë artistike më të lartë.



Për më shumë se tetë dekada, Filarmonia e RMV-së është përfaqësuesi i vetëm i muzicimit simfonik tek ne dhe bastioni i muzikës klasike në vend. Muzikantët janë shtytësit kryesorë të institucionit tonë, i cili ecën me krenari përpara – me energji dhe elan të ri drejt sfidave të reja, duke iu përshtatur tendencave bashkëkohore, e në të njëjtën kohë duke mbetur ruajtës besnikë të traditës që sfidon kohën dhe qëndron si modus vivendi.



Sezoni i ri muzikor i Filarmonisë së Maqedonisë nuk është rastësisht i titulluar “#Pa filter”. Ajo që i ofrojmë publikut është muzikë e pastër – pa zbukurime, pa ndërhyrje teknologjike, art në formën e tij më autentike.



Jetojmë në një kohë ku promovohen vlerat e menjëhershme, në një kohë kur më shumë se kurrë na nevojitet një busull, por edhe erë në vela që do të na rikthejë tek kriteret estetike dhe shoqërore mbi të cilat duhet të ndërtohet çdo shoqëri e shëndoshë. “Muzika është ligj moral. Ajo i jep shpirt universit, krahë mendjes, fluturim imagjinatës dhe jetë gjithçkaje”, thoshte Platoni – filozofi që besonte se muzika ndikon drejtpërdrejt në karakterin e njerëzve dhe në rregullimin e shtetit. Pikërisht ky mendim reflekton misionin tonë themelor: të edukojmë dhe të promovojmë vlerat e vërteta, përballë shundit dhe kiçit që na kanë përmbytur.



Jemi të vetëdijshëm se cilësia e muzikës është edhe masë e cilësisë së vetë shtetit. Prandaj, do të vazhdojmë me përkushtim të ndërtojmë dhe të promovojmë rrëfimin tonë muzikor, duke mbetur besnikë traditës dhe të hapur ndaj zhvillimeve bashkëkohore.



Muzika klasike nuk është e shkuar, ajo është e tashmja dhe e ardhmja jonë. Ajo është shkëndija që ndriçon rrugën dhe urtësia që sfidon kohën.



Me respekt,

Mustafa Imeri

Drejtor i Filarmonisë së RMV-së





MIQTË E
FILHARMONISË